Presidentja Vjosa Osmani nuk do ta nënshkruajë Ligjin për Pagën Minimale përpara se Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e këtij ligji. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për RTKlive këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
Kupina ka bërë të ditur se presidentja Osmani sot është njoftuar nga Kushtetuesja se Grupi Parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale.
“Rrjedhimisht, presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, tha Kupina për RTKlive.
Ligji për Pagën Minimale u miratua në Kuvend javën e kaluar, derisa përveç partive opozitare ai u kundërshtua edhe nga veteranët e luftës, ngase me ligjin e plotësuar nuk parashihet lidhja e pagës minimale me pensionin e veteranëve të UÇK-së.