Presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou, ka thënë se qëndrimi i Greqisë për të mos njohur pavarësinë e Kosovë mbetet i njëjtë.
“Qëndrimi i Greqisë, një nga të paktët anëtarë të BE-së që nuk e njohu pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, mbetet i njëjtë.Në të njëjtën kohë, Greqia, përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës dhe besnike ndaj politikës së saj në Ballkanin Perëndimor, ndjek një qasje pragmatike dhe konstruktive në raport me Kosovën, e cila synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe një lëvizje e përgjithshme drejt integrimit në BE të të gjithë rajonit, që dhe është synimi ynë strategjik.”, ka thënë presidentja greke për gazetën serbe “Politika”
Ajo ka përshëndetur progresin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në takimet në Bruksel dhe në Ohër.
“Siç e përmenda edhe më herët, qëndrimi i Greqisë për Kosovën mbetet i pandryshuar. Politika jonë konstruktive ndaj Kosovës është në përputhje me atë pozicion, promovon zhvillimin dhe forcon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
- Advertisement -
Në këtë drejtim, ne mirëpresim progresin e arritur në dy takimet në Bruksel dhe Ohër me marrëveshjen e arritur mes dy palëve, si dhe për aneksin e zbatimit. Greqia është e gatshme të mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për të përmirësuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popujt e rajonit.”, ka thënë Sakelaropoulou.