Presidenti Begaj vlerësoi vëmendjen e madhe që qeveria britanike i kushton rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe përshëndeti rolin e Lord Peach në promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe mbështetjen për adresimin e sfidave të lidhura me sigurinë. Lidhur me zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit, Presidenti Begaj nënvizoi faktin, se rajoni po kalon momente të vështira sa i përket paqes dhe sigurisë, të ndikuara edhe nga influenca ruse tek disa prej aktorëve rajonalë.
Duke u ndalur tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Begaj, vlerësoi vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe nënvizoi domosdoshmërinë e arritjes sa më parë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të zbatueshme mes palëve.
Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e madhe që ka ruajtja e unitetit, solidaritetit dhe kohezionit mes vendeve anëtare të NATO-s në përballimin e efekteve të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe influencave ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.