Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po merr pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po zhvillohet në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dayton-it, që i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjatë fjalës së tij në forumin me temë “Rifokusimi në paqen dhe prosperitetin në Ballkan”, Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it dhe integrimit euroatlantik të Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Marrëveshja e Dayton-it i dha fund një lufte brutale në zemër të Europës, duke shërbyer si gur themeli për paqen, stabilitetin dhe shpresën në rajon”, deklaroi Presidenti Begaj. Ai vlerësoi përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konflikteve në Ballkan dhe nënvizoi se ndërhyrja në kohë e faktorit ndërkombëtar në Kosovë ishte jetike për parandalimin e një katastrofe humanitare.
“Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dayton-it nuk do të kishte qenë e mundur. Po ashtu, pa angazhimin historik të Shteteve të Bashkuara, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Stabiliteti që gëzon sot rajoni ynë është i lidhur ngushtë me rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së”, u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.
- Advertisement -
Presidenti Begaj gjithashtu vlerësoi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke theksuar përkushtimin e vendit ndaj vlerave të demokracisë, paqes, sigurisë dhe fqinjësisë së mirë. “Ne shqiptarët e nderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që do të vijnë,” deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj shprehu gjithashtu mirënjohje për rolin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe Bashkimit Europian në Ballkan, duke theksuar se Shqipëria, si anëtare e Aleancës Atlantike, mbetet e përkushtuar për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin brenda NATO-s.