Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Për takimin me homologun maqedonas presidentja Osmani ka njoftuar në platformën X, e njohur më parë si “Twitter”.
“Faleminderit presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski që na priti sonte në Shkup para takimit të liderëve të Procesit Brdo-Brionit”, ka njoftuar Osmani.
Presidentja Osmani ka shtuar tutje se mezi pret të diskutojnë për kapërcimin e sfidave të përbashkëta dhe përpjekjet për prosperitet në rajon.
- Advertisement -
“Mezi pres të diskutojmë për hapat e përbashkët për të kapërcyer sfidat e përbashkëta, përpjekjet për prosperitet në rajon dhe ecjen e Kosovës para në rrugën euroatlantike”, ka deklaruar Osmani.
Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.
Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.