Një shtetas kosovar është arrestuar në qytetin Halle të landit Saksoni-Anhalt, në Gjermani, pas një ngjarjeje ku mbetën të plagosur tre persona, përfshirë edhe një vajzë 11-vjeçare.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, incidenti ka ndodhur përpara një ndërtese banimi, ku një burrë 29-vjeçar pësoi plagë të rënda, ndërsa një 47-vjeçar dhe vajza e mitur kanë marrë lëndime të lehta nga goditjet me thikë.
Personi i dyshuar, një 46-vjeçar me origjinë nga Kosova, u arrestua nga autoritetet gjermane menjëherë pas ngjarjes. Megjithatë, prokuroria e Halle-s ka bërë të ditur se ai është liruar nga paraburgimi të hënën pasdite, pasi hetimet fillestare nuk mbështesin më dyshimet për tentativë vrasjeje.
“Bazuar në rezultatet e hetimeve deri më tani, nuk ekzistojnë më dyshime të forta për një tentativë vrasjeje,” tha prokurori Dennis Cernota për Bild, duke shtuar se vendimi u mor pas marrjes në pyetje të të dyshuarit, disa pjesëmarrësve të ngjarjes dhe dëshmitarëve.
- Advertisement -
Fotografia e kosovarit të dyshuar është publikuar në media, edhe pse rrethanat e plota të incidentit mbeten ende nën hetim.