Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka arritur të konfiskojë 29 mijë pako me cigare, në vlerë prej 60 mijë eurosh, me preardhje nga Serbia.
“Më 24.02.2024, në fshatin Smirë-Viti, policia ka identifikuar dhe më pas ndaluar automjetin pa targa. Gjatë kontrollit të automjetit i cili drejtohej nga i dyshuari A. S., (viti i lindjes 1997, mashkull kosovar), është vërejtur se kishte të ngarkuar cigare pa banderolla të Kosovës. Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka hasur të ngarkuar cigare të llojit ‘Monus Slims ‘: 58 paketime të mëdha me gjithsej 29 000 pako cigare. Malli dyshohet të jetë i prodhuar në Serbi dhe vlera e tregut është rreth 60.000 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari së bashku me automjetin dhe mallin e kontrabanduar është dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Zhegër për procedim të mëtutjeshëm të rastit.
“Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent i dyshuari ndalohet për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor-Dheu i Bardhë”, thuhet tutje në njoftim.
- Advertisement -
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësitet e Task Forcës –Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e kontrabandës, kanë shtuar kontrollet taktike dhe të operacioneve në terren.