Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për herë të 17-të, me shpresën se më në fund do të arrihet konstituimi i tij. Seanca do të nisë në orën 10:30, por deri më tani nuk ka asnjë sinjal zyrtar që Lëvizja Vetëvendosje të jetë e gatshme të tërheqë emrin e Albulena Haxhiut si kandidate për kryetare të Kuvendit – emër që po has në rezistencë të ashpër nga ish-opozita.
Partitë opozitare kanë qenë të qarta: Albulena Haxhiu nuk gëzon mbështetjen e tyre për të marrë drejtimin e Kuvendit, por janë të gatshëm të procedojnë me konstituimin nëse propozohet një emër tjetër.
Një ditë më parë, pas përfundimit të seancës së 16-të, liderët politikë u mblodhën në një takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani, në përpjekje për të thyer ngërçin politik që ka bllokuar institucionin ligjvënës për javë të tëra. Megjithatë, edhe pas këtij takimi, palët nuk dhanë shenja optimizmi se situata mund të ndryshojë në seancën e sotme.