Komuna e Prishtinës ka rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht dy ndalesave të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore (ITK). Punimet, që u ndërprenë më 12 mars të këtij viti, pas fillimit dy ditë më parë, kanë vazhduar përkundër shqetësimeve lidhur me ndërhyrjet pranë objekteve të mbrojtura.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka inspektuar punimet dhe ka theksuar se ato janë brenda kornizave ligjore dhe do të vazhdojnë pa ndërprerje. Rama e ka quajtur këtë projekt si të rëndësishëm për zhvillimin e qytetit dhe ka garantuar se punimet do të përmbushin të gjitha kërkesat ligjore.
Ky projekt, që ka një vlerë totale prej 18 milionë e 400 mijë euro, prek disa nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të tilla si “Grand Hotel”, ish-Radio Prishtina, Rektorati i Universitetit dhe Biblioteka Kombëtare. Sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, çdo ndërlidhje ose ndërhyrje në këto prona kërkon pëlqim ose leje nga institucionet kompetente.
Ndërkohë, autoritetet lokale theksojnë se ky projekt do të përfshijë hapësira të gjelbëruara, minisheshe, zona rekreative dhe sportive, si dhe hapësira argëtuese për fëmijët. Sipas planifikimeve, punimet pritet të zgjasin 240 ditë pune.