Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot mbanë seancën e radhës për Kosovën. Seanca fillon në orën 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës, respektivisht në ora 10:00, sipas kohës së New York-ut.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në SHBA për ta përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit, e cila do të përballet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Në seancën e KS të OKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu bëhet e ditur se përgjatë qëndrimit në New York, Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.
- Advertisement -
Ndërsa, Vuçiqi ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj, pavarësisht “poshtërimit” që i është bërë deri më tani.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për Serbinë, për popullin tonë, për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, që të shkojmë me kokën lart, pa marrë parasysh se ata u përpoqën të na poshtërojnë me dhunë”, ka shkruar presidenti i Serbisë në llogarinë e tij në rrjetet sociale.