Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka shkëputur koalicionet me Lëvizjen Vetëvendosje në dy komuna në nivel lokal. Pas Gjilanit ditë më parë, tashmë Podujeva është komuna e radhës.
Sipas njoftimit të PDK-së, ky vendim ka ardhur si pasojë e “sanksioneve që tashmë po i vuajnë shteti dhe qytetarët tanë”, duke aluduar te gjendja në veri.
“Këto vendime vijnë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike e Kosovës, ku u vendos që të shkëputet çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Albin Kurtin dhe me presidenten Vjosa Osmani”, kanë shkruar ata në njoftim.
Gjithashtu potencohet se sipas tyre, “kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë duke shkatërruar çdo të arritur në Kosovë të këtyre dy dekadave dhe janë duke e dërguar vendin drejt konfrontimit me aleatët që kanë qenë mbështetësit kryesor të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, duke e rrezikuar të ardhmen e shtetit të Kosovës”.