Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sërish sot, nga ora 10:00, për të vazhduar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë. Deri më tani, mungesa e konsensusit politik ka pamundësuar formimin e komisionit zgjedhor për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Në seancën e fundit të mbajtur të hënën, kryesuesi Avni Dehari kërkoi përsëri nga partitë që ende nuk kanë propozuar emrat për komisionin zgjedhor — përkatësisht PDK, LDK, Lista Serbe dhe koalicioni AAK-Nisma — që të japin kontributin e tyre për të çuar përpara procesin. Megjithatë, asnjë përfaqësues i këtyre subjekteve nuk u deklarua.
Komisioni me anëtarët e propozuar më herët u hodh në votim, ku 56 deputetë votuan pro dhe një kundër, por sërish mungoi kuorumi i nevojshëm për ta çuar përpara procesin. “Shihemi më 7 maj, në orën 10:00”, u shpreh Dehari në përmbyllje të seancës.
Ndërkohë, në prapaskenën politike, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke i propozuar një koalicion qeverisës. Por LDK-ja ka refuzuar këtë ftesë, duke dalë me një propozim tjetër: një qeveri tranzicioni me pjesëmarrje të të gjitha partive shqiptare.
- Advertisement -
Abdixhiku, në një konferencë për media të mbajtur dje, theksoi se bashkëpunimi me Vetëvendosjen është i pamundur, duke thelluar kështu ndarjen mes dy partive më të mëdha shqiptare.