Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku tha se nga presidentja Osmani kanë kërkuar që ajo të luajë rolin që ka, rolin e unitetit, sepse kjo qeveri është e interesuar të krijojë sa më shumë përçarje, të godet UÇK-në.
“Kjo qeveri është e interesuar të krijojë sa ma shumë përçarje. Godit UÇK-në e krijo sa ma shumë përçarje, ndoshta edhe përfiton vota”, deklaroi Klinaku para gazetarëve pas takimit me presidenten Osmani.
Ndërkaq Xhavit Jashari, nga OVL e UÇK-së, bëri të ditura qëndrimet e tri organizatave të dala nga lufta që janë organizimi i protestave, si dhe bllokimi i punës së Parlamentit.
Ai më tej tha se presidentes Osmanit i shprehëm shqetësimet e brengat e pjesëtarëve të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, duke kërkuar nga ajo që të mos e nënshkruajë Ligjin mbi pagën minimale, ngase, siç tha ai, diskriminon kategorinë e veteranëve të luftës.
- Advertisement -
Jashari tha se do ta ndjekin rrugën ligjore për ta penguar zbatimin e këtij ligji, por edhe protestat si një e drejtë legjitime ku do të pengojnë hyrjen e deputetëve në Parlament, nga të cilët, siç tha ai, janë fyer skajshmërisht veteranët e luftës së UÇK-së.
Klinaku, mes tjerash, shtoi se veprimet e OVL- UÇK-së nuk ndërlidhen me Presidenten, derisa tha se ajo ka rolin e saj kushtetues që ta ruajë unitetin e popullit.
“Kundërshtimet tona vazhdojnë dhe kemi paralajmëruar se me datën 26 të këtij muaji, do të organizojmë protestën tonë në ditën kur do të mbahet seanca”, deklaroi ai.
Ndryshe, ky takim me presidenten Osmani është kërkuar nga veteranët e UÇK-së, pasi, sipas tyre, janë lënë jashtë kategorisë në Ligjin për pagën minimale.