Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Presidentja Osmani theksoi përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, duke përdorur struktura ilegale dhe banda kriminale serbe. Ajo diskutoi gjithashtu për arrestimin e qytetarëve serbë në Gjakovë dhe Prizren, të cilët pretendonin se po merrnin pjesë në pelegrinazh, por hetimet kanë zbuluar lidhje me inteligjencën ushtarake serbe dhe grupin terrorist të Banjskës.
Osmani e cilësoi këtë si një tentativë të Serbisë për të destabilizuar Kosovën, duke përdorur kërcënime dhe dhunë. Ajo theksoi se ky është një akt i papranueshëm ndërhyrjeje në sovranitetin e Kosovës dhe se vendi nuk do të tolerojë asnjë veprim që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve të tij.
Presidentja gjithashtu dënoi me forcë këto veprime destabilizuese dhe siguroi se Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me SHBA për mbrojtjen e sigurisë. Ajo falënderoi institucionet e sigurisë për punën e tyre dhe e njoftoi znj. Prattipati për hapat konkret që do të ndërmerren për thellimin e bashkëpunimit me SHBA dhe forcimin e aleancës strategjike.