Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se aleatja e Vladimir Putinit, Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën.
Këto deklarata ajo i bëri në një intervistë për The Sun Online me ç’rast shtoi se ende mendon se një pushtim në shkallë të plotë nuk ka gjasa të ndodh në këtë fazë – por se është e shqetësuar nga taktikat e Putinit që përdoren nga Serbia dhe presidenti i saj i lidhur me Rusinë, Aleksandar Vuçiq.
E para e shtetit të Kosovës e krahasoi situatën e krijuar me atë kur Rusia aneksoi për herë të parë Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.
Osmani theksoi se Vuçiq është “thellësisht i lidhur” me Putinin – dhe ajo ka akuzuar më parë Serbinë për planifikimin e një operacioni për të marrë territorin e Kosovës, ashtu siç bëri Rusia në Krime.
- Advertisement -
Presidentja në këtë intervistë për mediumin britanik theksoi tutje se Serbia armatos dhe financon grupe paraushtarake, ashtu siç bëri Putin me forcat e shkëputura pro-ruse në Donbas pasi pushtoi Krimenë, transmeton Klankosova.tv.
Osmani paralajmëroi më tej: “Të gjitha këto tregojnë se është pikërisht i njëjti plan”. Ajo i kërkoi Perëndimit të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, duke paralajmëruar se konflikti në Ballkan do të destabilizojë më tej Evropën.
“Ky nuk është një problem i largët. Paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e lidhur me paqen në Londër, në Nju Jork, në Uashington, në Paris, në Berlin, sepse historia tregon se mungesa e paqes dhe sigurisë në Evropë është mungesë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Dhe kjo mungesë paqeje dhe sigurie në Ballkanin Perëndimor do të thotë një Evropë e destabilizuar”, ka thënë ajo.