Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka reaguar pas zhvillimeve të ditëve të sotme në veri të vendit, ku kryetarët e dalur nga zgjedhjet e fundit u penguan në rrugën e tyre drejt zyreve, një situatë e cila la pas vetes disa policë të lënduar si dhe disa vetura të djegura.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës) Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka thënë Osmani. “Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë. Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë!”.