Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë, ka zhvilluar një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi.
“Presidentja ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga Vuçiqi dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Gjithashtu bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
- Advertisement -
“Në takim me presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar qëndrimin parimor të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në tërësinë e tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës.