Me reagime të shumta është përcjellë procesi zgjedhor i së dielës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Udhëheqësit institucionalë e fajësuan Serbinë për daljen e ulët të qytetarëve në votim, tek i premtuan mbështetje udhëheqjes së re. E me gjithë pranimin e rezultatit, në BE thanë se zgjedhjet me numër të ulët votuesish nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate
Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti kanë mbajtur fajtore Serbinë për numrin e ulët të qytetarëve të dalë në zgjedhjet e së dielës në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.
Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror Zgjedhor të drejtën për votë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan e shfrytëzuan 1 mijë e 567 qytetarë apo 3.47 për qind.
Me gjithë shifrat, kryeministri Kurti e bëri zotimin se do të mbështesë kryetarët e sapozgjedhur dhe e shprehu pritjen që institucionet në veri të konstituohen sa më parë.
“Fushata e egër e Beogradit zyrtar, e cila u ekzekutua edhe nga elemente kriminale në terren, në veri të Kosovës padyshim se ishte një fushatë e shantazhit, frikësimit dhe kërcënimit, e cila për pasojë pati daljen e ulët të qytetarëve. Mua më vjen keq që parti të caktuara politike atje kanë ftuar për bojkot, në fakt thirrja nuk është e tyre, thirrja e është e Beogradit”, tha Kurti.
- Advertisement -
E nga zyra e presidentes Osmani, angazhimi i Serbisë për pengimin e procesit zgjedhor është kualifikuar si veprim kundër frymës së Marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues. Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”, thuhet nga Zyra e Presidentes.