Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe procesin e konsolidimit institucional.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e ruajtjes së stabilitetit dhe funksionimit demokratik të institucioneve, si dhe e përshpejtimit të hapave drejt ndërtimit të një qeverie funksionale.
Në fokus të diskutimit ishte edhe formimi i qeverisë së re në Gjermani, me ç’rast Presidentja Osmani shprehu bindjen se përkushtimi i Berlinit ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor do të mbetet i pandryshuar edhe në këtë fazë të re politike.
Osmani dhe Rohde ritheksuan rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Presidentja vlerësoi rolin e Gjermanisë si një nga mbështetëset më të fuqishme të perspektivës evropiane të Kosovës, duke theksuar se kjo mbështetje është thelbësore të vazhdojë edhe në kuadër të institucioneve të Bashkimit Evropian.
- Advertisement -
Një pjesë e bisedës iu kushtua gjithashtu përgatitjeve për edicionin e radhës të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që do të mbahet në Prishtinë, si dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për avancimin e kësaj agjende të rëndësishme.