Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar homologun e Maqedonisë së Veriut, Sveno Pendarovski, për votën pro të vendit për pranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Osmani ka thënë se me Maqedoninë e Veriut ndajnë vizionin e njëjtë për të ardhmen, ndërsa ka theksuar se tendenca për destabilizim të rajonit vazhdon ende, por nuk duhet lejuar që të ndodhë.
“Faleminderit për votën që Maqedonia e Veriut dha në Këshill të Evropës. Ndajmë vizionit e njëjtë për të ardhmen. Kemi nënshkruar 40 marrëveshje bileterale dhe ka edhe të tjera që janë në proces. Shtetet tona mbesin të palëkundura në përkushtimin për paqe dhe stabilitet. Ka tendenca për destabilizim, por nuk dihet të lejojmë të ndodhi”, ka thënë ajo gjatë takimit që patën në Shkup të mërkurën.
Fjalë të mira për Kosova pati edhe Pendarovski, i cili theksoi faktin se ky është takimi i katërt me Osmanin. Ai thotë se gëzohet nga fakti që ka një dinamike të tillë të takimeve.
- Advertisement -
“Me presidenten, kishim një bisedë kuptimplotë, mbi bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet rajonale. Ne e mbështesim Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Osmani u pyet për takimet e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ajo ka thënë se Kosova është e gatshme të vazhdojë të kontribuojë për këtë proces, ndërsa ka deklaruar se shpreson që aleatët ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet që i ka marrë nga ky proces.
Në anën tjetër, Pendarovski ka thënë se ata dëshirojnë që sa më shpejt t’i vijë fundi këtij procesi.
Osmani po qëndron në një vizitë zyrtare në Maqedoni të mërkurën. Do të zhvillojë takime me krerë të tjerë institucionalë e krerë partish.