Bujar Hashani, drejtor i prodhimit në minierën “Trepça”, për emisionin “Info plus” në RTK, dha lajmin e mirë, se të gjithë minorët që ishin të bllokuar që nga mbrëmë në galeritë e minierës, tanimë janë nxjerrë nga miniera dhe gjendje shëndetësore e tyre është e mirë.
“Gjendja aktuale e minatorëve është e mirë, ata tani kanë dal nga miniera. Kemi arrit që me sukses t’i nxjerrim të gjithë minatorët, gjendja shëndetësore e tyre është e mirë. Tani po punojmë në vënien në shërbim të stabilimenteve bartëse. 10 minatorë kanë dal vet shkallëve, një pjesë e minatorëve, atyre më të vjetër, i kemi kshilluar që të presin dhe i kemi nxjerrë nga miniera dhe tani gjithçka është në rregull”, tha Hashani për RTK.
Ai shtoi se miniera është e vjetër dhe stabilimentet bartëse janë të vjetra. “Ne kemi kërkuar edhe më herët që këto stabilimente të ndërrohen dhe raste të tilla mos të përsëriten”, tha Hashani.
Rreth 50 minatorë kanë mbetur të ngujuar nga mbrëmë në horizontet 5, 8 dhe 11 me rreth 900 metra nën tokë. Shkak i ngujimit të tyre kanë qenë problemet me energji elektrike.