Politikat e qeverisë Kurti po kritikohen nga njohësit e rrethanave politike në vend. Duke komentuar zhvillimet e fundit, përfshirë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ata thonë se Kosova do të jetë humbësja më e madhe në të gjitha proceset euro-atlantike. Sipas tyre, kjo që po i ndodh Kosovës, është një tragjedi politike.
Masat ndëshkuese të vëna nga Bashkimi Evropian për Kosovën po shihen me mjaft shqetësim nga njohës të rrethanave politike në vend. Për analistin Artan Muhaxhiri sjellja e qeverisë Kurti është e pakuptimtë. Ai thotë se masat e vëna të BE-së kundrejt Kosovës janë tragjedi politike.
“Masat ndaj Kosovës janë një tragjedi politike sepse për herë të parë e vendosin në pozicione armiqësore Kosovën me BE-në dhe SHBA-në . Por çka është më e keqja, Qeveria e Kosovës ende tenton të krijojë një iluzion se BE dhe SHBA janë kundër sovranitetit të Kosovës në veri dhe kundër ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Kjo absolutisht, nuk është e saktë”, tha Artan Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Edhe njohësi i rrethanave politike, Dritëro Arifi, thotë se këto masa do të kenë efekt negativ në të gjitha proceset integruese të vendit dhe në raportet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë.
- Advertisement -
“Normalisht që do të ketë efekt negativ edhe në proceset integruese, efekt negativ në imazhin e vendit dhe efekt negativ në raportet e Kosovës me vendet veç e veç të Bashkimit të Evropian. Tash krijohet bindja që Kosova është e padëgjueshme dhe nuk është në linjat dhe politikën e BE-së. Humbësi më i madh nuk është Bashkimi Evropian sepse ata mund të jetojnë edhe pa ne, por do të jemi ne, sepse ne nuk do të mund të zhvillohemi dhe nuk do të mund të avancohemi tutje në integrimet euroatlantike”, tha Dritëro Arifi.
Muhaxhiri dhe Arifi kanë kritikuar po ashtu edhe opozitën, duke thënë se janë të fjetur në reagimet ndaj qeverisë Kurti.