Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person, shtetas i Kosovës, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Arrestimi është kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, konkretisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe me asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër të gjykatës kompetente, autoritetet kanë kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme brenda territorit të Kosovës. Gjatë operacionit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë pajisje teknologjike si telefona mobilë, që dyshohet se janë përdorur në aktivitetet e dyshuara të spiunazhit.
Ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale.