Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në rrugën rajonale Mitrovicë–Skenderaj, në afërsi të fshatit Klinë e Ulët, ku një grua rreth 65 vjeç ka humbur jetën.
Lajmin e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. Ai tha se në aksident janë përfshirë dy vetura dhe, përveç viktimës, katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
“Sot, rreth orës 12:54, është raportuar për një aksident trafiku me pasojë fatalitetin në rrugën rajonale Mitrovicë–Skenderaj, përkatësisht në fshatin Klinë e Ulët. Në aksident janë përfshirë dy vetura, ku si pasojë e lëndimeve të marra ka humbur jetën një femër rreth moshës 65-vjeçare. Katër persona të tjerë janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës,” deklaroi Zahiti.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në aksidentin tragjik.