Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani, për sulmin fizik kundër gazetarit Valon Syla.
Të akuzuari Themelorja i ka dënuar me nga dy vite burgim.
Sipas vendimit të gjykatës, të akuzuarve iu është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa obligohen që secili veç e veç të paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësorë të paguajnë shumën prej 200 €, ndërsa shumën prej 100 € ta paguajnë për Fondin për Kompensimin të Viktimave të Krimit.
Gjykata ka refuzuar kërkesën pasurore juridike të të dëmtuarit Valon Syla pasi që gjykata nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për vendosje të plotë apo të pjesshme të kërkesës pasurore juridike, andaj i dëmtuari nga arsyet e lartëcekura për realizimin e kërkesës pasurore – juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
- Advertisement -
Të dënuarit janë akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë sepse me datë 11.04.2023, rreth orës 23:00, në Prishtinë të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islame përkatësisht të besimit fetarë, kishin lënduar lehtë gazetarin Valon Syla, për shkak të një publikimi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.