Kaqusha Jashari, themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës, ka ndërruar jetë sot në mëngjes, në moshën 79-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga vajzat e saj, Nora dhe Teuta Jashari, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook. Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, më 6 maj 2025, në orën 13:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë.
E njohur si një prej grave të para në udhëheqjen politike në Kosovë, Jashari u shqua për kontributin e saj në jetën publike dhe për angazhimin e palëkundur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Me profesion inxhiniere, ajo hyri në histori si një zë i fortë i së majtës dhe një nga figurat më të respektuara të skenës politike kosovare që nga vitet ’80.