Në një aksion të zhvilluar nga Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës janë sekuestruar armë dhe pajisje ushtarake, përfshirë raketahedhës dhe helmeta balistike. Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar këtë si një tjetër provë të “terrorizmit të sponsorizuar nga Serbia”.
Sipas njoftimit të Sveçlës, në bastisjen e realizuar janë gjetur: tre raketahedhës krahu (të njohur si zolla), dy helmeta balistike, dy çanta ushtarake, një jelek antiplumb dhe një maskë gazi.
“Terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia, si në rastin e sotëm, nuk ka dhe nuk do të ketë vend në Kosovë. Nuk do të ndalemi, në çdo cep të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla në një reagim publik.
- Advertisement -
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se materiali i sekuestruar është gjetur brenda një banese, ndërsa ka theksuar se deri më tani nuk ka të arrestuar dhe ende nuk dihet se kush është pronari i banesës.
Policia ka vazhduar hetimet për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të përcaktuar burimin e këtyre armëve, që ngjallin shqetësime të reja për sigurinë në pjesën veriore të vendit.