Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka bërë të ditur se gjatë kontrollit është gjetur se 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kanë emërtime kundërkushtetuese.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja ka shkruar se MINT ka themeluar më 6 korrik, 2023, Komisionin për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.
Ajo ka thënë se me këtë rast Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK. Fokus i riverifikimit sipas ministres kanë qenë dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese.
“Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj.
- Advertisement -
Hajdari ka thënë se ARBK-ja do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k.
Sipas ministres, pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta.
“Si përherë, MINT është i përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, pa kompromis, pa përjashtim dhe pa diskriminim”, ka shkruar ministrja Hajdari.