Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka konfirmuar për Telegrafin se ka pranuar 13 marrëveshjet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri, të cilat kryeministri Edi Rama njoftoi se i ka nënshkruar sot.
“Ju njoftojmë se sot i kemi pranuar 13 marrëveshje nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se sot në mëngjes janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, 13 marrëveshjet që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive më 14 qershor.
Rama ka thënë se mbetet me shpresë se pas kësaj do të ketë takim me kryeministrin Kurti.
- Advertisement -
“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Rama.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti të mërkurën deklaroi se homologun e tij nga Shqipëria do ta takoi vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, në të kundërtën jo.
Madje Kurti përmendi edhe nënshkrimin e këtyre 13 marrëveshjeve si “kusht” për takim.
Deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nëse kryeministri Kurti ka ndryshuar qëndrim sa i përket takimit me Ramën.
Kryeministri Edi Rama në Prishtinë sot do të ketë takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.