Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga të dyshuarit për organizim të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili thotë se Milun Milenkovic është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësi i bandave kriminale, që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
Sipas Sveçlës, gjatë arrestimit të tij janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.
“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar në Facebook ministri Sveçla.
- Advertisement -
Policia e Kosovës konfirmon arrestimin e një personi
“Mund të konfirmojmë se sot më datë 13.06.2023, në komunën Mitrovicë Veri, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për disa vepra penale”, konfirmon PK.
Sipas këtij njoftimi, gjatë arrestimit të personit të dyshuar është lënduar lehtë një zyrtar policor.
“Pas operacionit njësitet policore kanë hasur në rezistencë dhe janë sulmuar me ç’rast dy zyrtarë policorë të rendit raportohet të jenë lënduar lehtë po ashtu. Të gjitha njësitë relavante policore janë duke u marrë me rastin dhe ofrimin e sigurisë”, ka thënë për RTK Luljeta Mehmeti, majore në PK.