EULEX-i ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së medaljeve për shërbim në Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje për Njësinë e tij Policore të Specializuar Rezervë.
Kjo njësi përbëhet prej 49 pjesëtarëve të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFORCE) nga Italia, Lituania dhe Franca. Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme në këtë ceremoni tha se siguria po rrezikohet për shkak të etjeve për luftë, ambicieve për pushtim e tendencave për destabilizim e minim të paqes.
Sveçla tha se edhe siguria e Republikës së Kosovës është sfiduar shumë herë në dy vitet e fundit nga sateliti i Rusisë në rajonin tonë, Serbia.
Sipas tij brenda kësaj periudhe, kemi pasur 112 sulme ndaj pjesëtarëve dhe aseteve të Policisë së Kosovës.
- Advertisement -
“Këto sfida me të cilat vazhdojmë të ballafaqohemi akoma, kulmuan me kidnapimin e tre zyrtarëve tanë policor thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, me sulmet brutale ndaj ushtarëve të KFOR-it e me sulmin terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë zyrtari policor, rreshter Afrim Bunjaku”, deklaroi Sveçla.
Nderkohë, Giovanni Pietro Barbano, shef i Misionit EULEX në Kosovë tha se ky mision ka për qëllim ofrimin e sigurisë pa dallim përkatësie etnike dhe llogaridhënies pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.