Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka takuar sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme Shefen e Operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe.
Ministri Sveçla, tha se gjatë takimit me Znj. Viehe, ka biseduar mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veriun e Kosovës.
“Sulmet e njëpasnjëshme viteve të fundit ndaj institucioneve tona dhe zyrtarëve tanë në veriun e Kosovës si dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit ishin çështjet e rëndësishme për të cilat biseduam me znj. Viehe, poashtu edhe për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e mirë e të vazhdueshëm mes KFOR dhe Policisë së Kosovës. Me këtë rast, u dakorduam për bashkëpunim të mëtejmë të institucioneve tona dhe misionit të KFOR”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.
Sipas tij, kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe ambiciet e saj territoriale për Kosovën vazhdojnë të përbëjnë problem serioz për Kosovën por edhe të rajonit.
- Advertisement -
“Kosova aspiron rrugën drejt integrimit në NATO dhe në këtë kuptim, do të vazhdojmë përpjekjet tona si partner serioz në garantimin e sigurisë në vend dhe në rajon”, tha ai.