Policia e Kosovës ka mbajtur konferencën përmbyllëse për vitin 2023, ku janë prezantuar të arriturat e sajë përgjatë vitit që po lëmë pas. Kjo konferencë ka nisur me një minutë heshtje në nderim të jetës e veprës së rreshterit Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë kur grupi terrorist serb në krye me kriminelin Milan Radoiçiq sulmuan Policinë e Kosovës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky vit ka qenë sfidues për policinë, por edhe jashtëzakonisht i suksesshëm.
“Vitin që po lëmë pas jemi përballë me sulmin në Banjskë, që i mori jetën policit tonë dhe tendenca për destabilizim të vendit nga shteti serb. Jam i lumtur që sot prezantojmë të arriturat dhe sukseset e policisë. Ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë kërkonë sakrificë nga ana jonë. Duke njohur sakrificën e gjeneratave të mëparshme, ua kemi borxh gjeneratave të reja për më shume punë, që të mos pajtohemi me të keqën”, ka thënë ministri i brendshëm.
Sipas tij, lufta kundër krimit do të vazhdoj pa asnjë kompromis.
- Advertisement -
Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se situata e sigurisë përgjatë vitit 2023 ka qenë e qetë, përveç në pjesën veriore të vendit, ku janë orkestruar sulme nga qeveria e Serbisë.
“Ka disa sulme të kryera gjatë këtij viti nga shteti serb, që na kanë quar deri në këtë konkludim. Protestat, sulmi ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës, gazetarëve, qytetarëve, kidnapimi i policëve nga strukturat e policisë serbe me 29 Maj, pastaj sulmi terrorist në fshatin Banjskë. Të gjithë e dimë betejën e Banjskës dhe suksesin e Policisë së Kosovës në ketë sulm”, ka thënë ai.
Sipas tij, në veri ka pasur edhe djegie të automjeteve e sulme ndaj qytetarëve që tentonin të rexhistronin veturat e tyre në targa RKS.
Hoxha ka prezantuar raportin preliminar i Policisë së Kosovës, i cili përmbledhë 46 mijë raste të raportuara. Ai ka thënë se gjatë vitit ka paur më pak kriminalitet. Sipas tij, janë kryer 28 vrasje gjatë këtij viti, 309 lëndime trupore, 2 mijë e 558 vjedhje të rënda, 85 grabitje etj.
“Një fushë që i kemi dhënë rëndësi të madhe sivjet është hetimi i krimeve të luftës, duke e ditur që dëshmitarët mund të vdesin. Kemi munduar të shtojmë dinamikën e hetimeve në këto krime. Kemi 14 raste të ngritura. Janë arrestuar 12 të dyshuar, janë ngritur 22 kallëzime penale,149 persona janë të dyshuar, si dhe 4 raste janë në hetim preliminar”, ka thënë Hoxha.
- Advertisement -
Hoxha ka përmendur edhe operacionet policore për hetimin e zbulimin e parave të falsifikuara, shpëlarje të parave dhe falsifikim te dokumenteve.