Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për situatën e sigurisë në vend, për provokimet nga pala serbe kundrejt Kosovës, sidomos me ushtrimet ushtarake që po i kryejnë forcat serbe në afërsi të kufirit me Kosovën dhe me Malin e Zi.
Ai tha se ushtrimi fushor “Whirlwind 2024” është organizuar dhe planifikuar nga ushtria serbe, që, sipas tij, ka filluar në 8 prill dhe është shtrirë në 8 lokacione në Serbi, por, shtoi ai, qitjet reale me armatime janë zhvilluar në tri poligone: afër Nishit, Leskovcit dhe në Peshter, afër kufirit me Kosovën dhe me Malin e Zi.
“I gjithë ky armatim i përdorur dhe numri i madh i pjesëtarëve Serbia ka dërguar mesazh edhe te fqinjët, sidomos pas pak muajsh pas një sulmi të organizuar nga një grup i uniformuar i armatosur terrorist, i cili ka hyrë në Republikën e Kosovës nga territori i Serbisë, më 24 shtator”, deklaroi Maqedonci në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Ai më tej shtoi se pas pak muajsh po organizohet një ushtrim madhor të ushtrisë serbe, ku janë përdorur të gjitha armët që i ka në dispozicion ushtria serbe, duke përfshirë sistemet raketore, por edhe dronët kamikazë.
- Advertisement -
Maqedonci tha se shqetësimi ka të bëjë me faktin se është përzgjedhur një lokacion jo larg kufirit me Kosovën, si dhe me Malin e Zi.
Ai shtoi më tej se ky ushtrim është bërë me sistem të armatimit që ka karakter sulmi dhe jo mbrojtjeje.
Maqedonci, mes tjerash, tha se ky ushtrim ushtarak ka të bëjë me demonstrimin e forcës ushtarake serbe, jo shumë larg Kosovës, Malit të Zi dhe të Bosnjës, duke dëshmuar se Serbia edhe më tutje po shfaq qasje hegjemoniste kundrejt fqinjëve.