Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë lajmin se linja hekurudhore “Prishtinë – Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari” si dhe linja R7, segmenti “Banullë – Carralevë”, po bëhen realitet.
Nga takimi me Këshillin Ministror të organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit, në kuadër të procesit të modernizimit të transportit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ministri Aliu ka premtuar progres infrastrukturor dhe lehtësim të transportit.
“Në këtë takim të frytshëm që tregoi se është bërë shumë progres, morëm lajmin e mirë që linja hekurudhore “Prishtinë – Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari” si dhe linja R7, segmenti “Banullë – Carralevë”, tashmë janë përfshirë në rrjetin e TEN-t, dhe rrjedhimisht kemi qasje në fondet e BE-së, ku prej tyre 50% janë grante për projekte hekurudhore dhe 40% për ato rrugore”, ka shkruar Aliu.