Në emisionin “Open” në News24 Paskal Milo foli për tensionet në veri të Kosovës. Gjatë bisedës në studio, Paskal Milo tha se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, është i vetëdijshëm që nuk mund të futet në luftë me NATO-n.
“Vuçiçi nuk është çmendur që të futet në luftë me NATO-n sepse nëse shkel integritetin e Kosovës, nuk futet në lutë me Kosovën, por me KFOR, sepse garant për integritetin e Kosovës është NATO. Vuçiçi është politikan me përvojë dhe i di përpjekjet që po bën Perëndimi për ta shkëputur nga Rusia dhe ndihet si fëmijë i përkëdhelur, i privilegjuar dhe kërkon të përfitojë nga kjo pozitë e privilegjuar që ka për të realizuar pikësynimet e tij në marrëdhënie me Kosovën”, ka thënë Paskal Milo, duke shtuar: “Kosova nuk ka rrugë tjetër mbijetese veçse të pranojë asociacionin. Zotësia e klasës politike në Kosovë, do të jetë që të luftojë të bëhet një asociacion që të mos jetë në kundërshtim të Kushtetutës së Kosovës, por asociacioni do të bëhet”.
Nga ana e tij ekspert i çështjeve të sigurisë dhe politikës rajonale, Ilir Kulla u shpreh se në një situatë të tillë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk mund të dalë përpara Serbisë dhe t’u japë veriun. “Ka 23 vjet që veriu i Kosovës pavarësisht se kush ka qenë në pushtet nuk ka një flamur të shtetit të Kosovës. Kemi një parti që nuk e njeh Kosovën, çfarë duhet të bëjë kryeministri i Kosovës? T’i thotë merreni edhe pjesën tjetër që ju ka mbetur?”, tha ndër të tjera Ilir Kulla.