Milan Radojiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ditën kur u sulmua Policia e Kosovës nga grupi terrorist serb.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij Goran Petronijeviq, në një konferencë të mbajtur të premten në Beograd.
“E informoj publikun e gjerë se së bashku me bashkëkombësit e mi nga veriu i Kosovës, më 24 shtator 2023-s, kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte që ta trimërojmë popullin serb në këtë rajon, në ofrimin e rezistencës ndaj terrorit të regjimit të Kurtit, mbrojtjes së popullit tonë që këtij terrori i është nënshtruar për çdo ditë dhe për krijimin e kushteve për përmbushjen e ëndrrës së çlirimit të popullit tim në veri të Kosovës”, e ka cituar Petronijeviq letrën e kryeterroristit serb, Milan Radojiçiq.