Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tashmë kryetar i partisë së Lirisë, ka përshëndetur sot qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në një postim në Twitter, Meta është shprehur se propozimi i BE-së është një faktor kyç për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të rajonit.
“Një lajm shumë i mirë nga Prishtina për hapat pozitivë drejt njohjes reciproke dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përshëndes lidershipin e kryeministrit Albin Kurti, që kontribuon për paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të mira me fqinjët. Propozimi i BE-së, një faktor kyç për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të rajonit”, ka shkruar Meta.
Pas një takimi me dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak ditën e djeshme, Kurti në një postim në Twitter ka shkruar se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.