Në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
Pyetjet e para ka pasur t’i bëjë mbrojtja e Thaçit për dëshmitarin e dytë të prokurorisë. Pjesa hyrëse ishte e hapur për publikun, derisa seanca e së martës ka qenë e mbyllur gjatë gjithë kohës. Në ditën e parë të dëshmisë dëshmitari në fjalë tha se është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se ka qenë prezent në daljen publike të UÇK-së.
Sipas tij, UÇK-ja dhe LDK-ja nuk kishin raporte shumë të mira. Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.
Megjithatë, tutje dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.
- Advertisement -
Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).