Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se në përmbyllje të vizitës në Shtetet e Bashkuara e ka vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen edhe helikopterët Black Hawk, që siç ka thënë ai, Kosova do t’i ketë në flotën e mbështetjes ajrore të ushtrisë.
Ai ka bërë të ditur se bashkë me menaxhmetin e kësaj kompanie kanë diskutuar për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e FSK-së.
“Së bashku me Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin dhe Ambasadorin Blerim Reka, shef i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, e takuam menaxhmentin e kësaj kompanie, ku diskutuam për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kosova do të jetë më e sigurt me helikopterët që fluturojnë mbi qiellin e saj”, ka shkruar ai.
Gjatë vizitës së Maqedoncit në Amerikë, Kosova dhe SHBA-ja kanë përgatitur marrëveshjen kornizë në fushën e mbrojtjes.