Lista Serbe njoftoi se katër institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, që sipas autoriteteve lokale i përket kësaj komune. Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dhënë afat që deri më 8 shtator Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria të largohen nga objekti. Këto institucione prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.
“Duke pasur parasysh synimin e Prishtinës që me çdo kusht të vazhdojë me përshkallëzimin e situatës në terren dhe të pushtojë objektin në Mitrovicës, duam t’iu njoftojmë publikisht se refuzojmë ultimatumin e regjimit në Prishtinë për lëshimin e zyrave tona dhe kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç parashihet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, u tha në njoftimin e Listë Serbe.
Kjo parti – që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha po ashtu se institucionet që gjenden në objektin komunal ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim të etnisë. “Përndjekja dhe pushtimi me forcë i kësaj ndërtese do të kërcënonte ushtrimin e të drejtave të njeriut për dhjetëra mijëra persona, si në fushën e sigurimeve pensionale dhe invalidore ashtu edhe atë të mbrojtjes sociale të shtresave më të rrezikuara të shoqërisë”, tha kjo parti. Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar “që të parandalojë” autoritetet e Kosovës, që siç tha, “të përshkallëzojnë situatën duke shkaktuar tensione shtesë që mund të kenë pasoja të paparashikueshme në terren”.
Aksioni për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por u shty për dy javë. Paraprakisht, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.
- Advertisement -
Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë thënë se objekti është pronë e tyre dhe se ai duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Por, në një deklarim të mëhershëm për Radion Evropa e Lirë, ato nuk specifikuan se për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë. Më 23 gusht, Ambasada amerikane në Prishtinë kishte kërkuar nga autoritet e Kosovës që “të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i rrisë tensionet”. Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Tensionet në veri janë rritur që nga fundi i majit, pasi serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë.
Udhëheqësit e rinj komunalë u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe. Pas rritje së tensioneve, Qeveria e Kosovës u pajtua në korrik që të ndërmerrte hapa drejt shtensionimit të plotë të situatës. Një ndër hapat për të cilat u pajtuan Prishtina dhe Brukseli parasheh edhe krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri. Në këtë kuadër, më 5 shtator u publikua udhëzimi i ri administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.