Lista Serbe përmes një njoftimi për media janë shprehur se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se i njëjti duhet të formohet, pasi është obligim që Kosova ka marrë me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha se Asociacioni është i nevojshëm “për mbijetesën e popullit serb” dhe se formimi i tij është kërkesë e serbëve në Kosovë.
“Veçmas theksuam se është e nevojshme që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, gjegjësisht siç është rënë dakord në Bruksel gjatë negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se krijimi i tij është një obligim që nuk duhet shmangur, sepse duhet të jetë një institucion ombrellë për popullin serb, që do të mbrojë të drejtat individuale dhe kolektive të popullit tonë”, u tha në njoftimin e Listës Serbe.