Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se sot ka pranuar zyrtarisht letrën nga kryesuesi i seancës së djeshme konstituive, Avni Dehari, në lidhje me konstituimin e institucioneve të reja të vendit.
“Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë,” ka deklaruar për RTKlive këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina.
Ndërkohë, kryesuesi Dehari ka bërë të ditur për RTK-në se ka kërkuar interpretim institucional mbi situatën e krijuar gjatë seancës së djeshme, e cila u ndërpre pas mungesës së shumicës për të vijuar procesin e konstituimit.
Ai shtoi se mbajtja e një seance të re brenda afatit 48-orësh, siç parashihet me rregulloren, mbetet e paqartë deri në momentin kur të marrë një përgjigje apo interpretim nga Presidentja e vendit.
- Advertisement -
Seanca e djeshme u ndërpre pasi nuk u sigurua shumica për miratimin e raportit mbi konfirmimin e mandatave të deputetëve, duke lënë pezull hapat e mëtejmë drejt formimit të institucioneve.