Lidhja Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se sot ka proceduar kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj, për deklarim të rrejshëm.
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka tash e sa kohë ka shprehur shqetësimin për skandalin financiar me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Gjithë këtë kohë, LDK ka kërkuar shkarkimin e tij, derisa pushteti ka vazhduar t’i dalë në mbrojtje dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim në raport me këtë rast”, njoftojnë zyrtaret e LDK-së.
Sipas kësaj partisë opozitare, ambasadori Berishaj gjatë raportimit në Komisionin Hetimor parlamentar për krizën energjetike, ka dhënë edhe deklaratë të rrejshme duke konstatuar “se nuk ka qenë nën marrëdhënie kontraktuale me kompaninë GEN, në Beograd nga viti 2019″, derisa ka vazhduar të pranojë qindra mijëra euro deri në vitin 2022.
“Duke u bazuar në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, nenet 383 dhe 384, lidhur me deklaratat e dhëna nën betim, sot u procedua kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj, për deklarim të rrejshëm. Ky kallëzim është dorëzuar nga deputeti Driton Selmanaj, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Hetimor bashkë me deputetin Besian Mustafa anëtar i këtij komisioni. Skandali i Berishaj duhet të marrë epilog dhe duhet të mbrohet dinjiteti i Kuvendit dhe vendit”, thuhet në komunikatën e LDK-së.