Nuk është detyrë e lehtë, as situatë e lehtë. Kam pasur takime të rëndësishme me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti. Diskutim të gjatë e sinqertë. Shumë të rëndësishëm. Kështu ka deklaruar i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak për media pas takimit që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti.
Ai ka thënë se ata janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet për shtensionim të situatës në veri të vendit.
“Duhet të zgjedh fjalët, ka mirëkuptim në nevojën për të ecur para në tri pikat që janë paraqitur nga BE-ja: shtensionim, zgjedhje të reja dhe kthim në normalizim. Ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapat konkretë që duhet të merren. Ai ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë të miat. Takimi ishte i gjatë, por shumë i rëndësishëm për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit më mirë, por jemi pajtuar të vazhdojmë”, ka theksuar Lajçak.
Ai nuk ka dashur të komentojë sanksionet ndaj Kosovës, teksa ka thënë se “BE-ja nuk është e lumtur që është në pozitë të prezantojë masa”.
- Advertisement -
Lajçak po ashtu ka thënë se masat janë të gatshme edhe për Serbinë, në rast se ajo nuk vepron në raport me kërkesat e BE-së.