I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kishte një diskutim të rëndësishëm me të sa i përket draft – statutit të Asociacionit dhe se patën një mirëkuptim për këtë proces.
“Kemi diskutuar se si Bashkimi Evropian e sheh procesin e hartimit të draft-statutit në detaje me Kryeministrin dhe besoj se kemi një dakordim mbi këtë proces”, ka thënë Lajçak.
Ai ka thënë se për këtë çështje do të jetë nesër edhe në Serbi për vizitë zyrtare dhe të hënën në Bruksel do të takohet me kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi një mirëkuptim për hapat që do të marrim dhe patëm një diskutim të rëndësishëm. Të njëjtin do ta kem edhe nesër në Beograd dhe do të takoj dy kryenegociatorët, Bislimin dhe Petkoviq të hënën në Bruksel. Të dy palët duhet të përkushtohen në normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.