Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe çështja e të zhdukurve kanë qenë tema e diskutimit që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka zhvilluar me diplomaten zvicerane, Livia Leu. Në një njoftim në facebook, Lajçak thotë se drafti i paraqitur nga ekipi menaxhues për asociacionin, është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.
“Ngjarja më e madhe e javës ishte padyshim takimi i dialogut të nivelit të lartë i organizuar nga BE dhe i ndihmuar nga unë, që u zhvillua të martën e kaluar. Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës”, ka thënë ai.
Sllovaku thotë se mirëpret miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe “pret që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.
“Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Lajçak.
- Advertisement -
Ndërsa sa i përket Asociacionit, ai thotë se palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. “Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve’’, ka thënë Lajçak.