Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij, tha se “Defender Erupe 2023” është ngjarja më e madhe ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
Kurti tha se Kosova është e nderuar që për herë të dytë është vend nikoqir i ushtrimit që shtrihet nga zona e Mesdheut e deri në kufijtë lindor.
“Mbi 1 mijë e 300 ushtarakë do të ekzekutojnë detyra në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të SHBA-së”, tha kryeministri Kurti.
Ai u shpreh se FSK në këtë ushtrim, radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar.
Kurti tha se kjo është dëshmi e vullnetit për ndërtim të kapaciteteve të mbrojtjes dhe përkushtimit të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.
- Advertisement -
Ai tha se siguria e Evropës është interes jetik i Kosovës.
Kryeministri rikujtoi se “Defender Europe 2021” ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqte në mënyrën më agresive e brutale të synimeve të saj të vjetra për të t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës.
“Defender Europe 2023’ po zhvillohet në realitet të tensionuar, 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë”, tha Kurti.
Sidoqoftë, kryeministri tha se edhe motoja “bashkë më të fortë” është vetëm një variacion i thënies së famshme të Skënderbeut se “Bashkimi bën fuqinë”.
Duke iu dëshiruar suksese, Kryeministri siguroi ushtarakët se do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e qeverisë dhe shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional.