“Shqiptarët u bënë shembull në botë dhe në histori për strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve,” shkroi kryeministri Albin Kurti në një postim në Facebook, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ai theksoi se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, familje të tëra shqiptare refuzuan t’i dorëzonin hebrenjtë dhe gjetën mënyra për t’i fshehur ata para autoriteteve gjermane dhe italiane.
“Ndërkaq, pas Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve në Shqipëri ishte rreth 10 herë më i madh se sa para luftës,” tha Kurti, duke shtuar se dhjetëra shqiptarëve dhe familjeve shqiptare u është njohur titulli “Fisnikë mes kombesh” për këtë kontribut të jashtëzakonshëm.
Kurti rikujtoi çlirimin e kampit të përqendrimit Aushvic më 27 janar 1945, duke e përshkruar atë si më famëkeqin ndër qindra kampe të ndërtuara nga regjimi nazist.
- Advertisement -
“Një mbishkrim cinik i vendosur në hyrje të kampit ‘Puna të bën të lirë’ u paraprinte skenave të llahtarshme me pirgje prej mijëra kufomash dhe mijëra njerëzish të mbijetuar në gjendje ekstreme kockë e lëkurë,” tha ai.
Kurti përmendi gjithashtu shifrat tragjike të Holokaustit, duke kujtuar se rreth 1.1 milion njerëz u vranë në Aushvic, ndërsa në total, rreth 6 milionë hebrenj humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai theksoi se këto ngjarje çuan në krijimin e termit “gjenocid” si përpjekje për zhdukjen e një komuniteti etnik apo kulturor.
Kurti u bashkua me thirrjen globale “Kurrë më”, duke nderuar të gjitha viktimat e Holokaustit.
“Si një komb që i ka mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë dhe si një popull që ka qenë viktimë e akteve gjenocidale, shqiptarët janë mes atyre kombeve që thonë ‘Kurrë më’, duke u bashkuar në këtë përkujtim,” theksoi ai.