Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje politike dhe formimin e një koalicioni qeverisës ndërmjet dy partive.
“Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike”, shkruan Kurti. Ai shton se si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë është i interesuar dhe i vullnetshëm për një marrëveshje me LDK-në.
Kurti vlerëson se edhe pse ekzistojnë dallime në qëndrimet politike mes dy partive, një koalicion është i mundur duke vendosur në plan të parë interesin e shtetit dhe qytetarëve.
Në letrën drejtuar Abdixhikut, ai kujton se LDK historikisht nuk ka hezituar të hyjë në koalicione qeverisëse, përfshirë periudhat 2001–2004 dhe 2008–2017 me PDK-në, si dhe bashkëpunimin me LVV-në në vitin 2020.
- Advertisement -
“Mosmarrëveshjet që ekzistojnë sot mes nesh nuk janë më të mëdha se ato që LDK ka pasur me partnerë të mëparshëm me të cilët ka bashkëqeverisur. Madje, në vitin 2020, në qeverinë Kurti 1, bashkëpunimi ynë ishte korrekt dhe sfidat i kam pasur me figura që sot nuk kanë më rol të rëndësishëm në LDK”, shkruan Kurti.

